Klodiana Spahiu
Klodiana Spahiu ka lindur në 22.05.1973 në Durrës. Znj. Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë,
dega Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1997. Më pas, në vitin 1998-2002 është specializuar në fushën
e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë Q S U T-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Ajo ka kryer një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive:
Ekokardiografi, PU-EKG, Eko-doppler e karotideve, pranë Universitetit Katolik: “Sacro Cuore”,
Facolta di Medicina e Chirurgia Agostino Gemeli, Romë, Itali.
Në 2003-2004 studioi në shkollën pasuniversitare SH.P.U, pranë Fakultetit të Mjekësisë,
Departamenti i Lëndëve Paraklinike. Gjatë periudhës tetor 2005 – dhjetor 2005 ka kryer
specializim në fushën e Kardiologjisë Invazive, kateterizimi i zemrës dhe koronarografinë e
zemrës, pranë Spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.
Vite me vonë, 2012-2014 ajo ka përfunduar edhe masterin profesional për Menaxhimin
Shëndetësor.
Znj. Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT.
Gjithashtu, ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit
gjatë viteve 2003-2009. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali.
Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në
Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës dhe në 2006 ka qenë pedagoge e
jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO”, Tiranë.
Viti 2008 dhe në vazhdim – Docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e
Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Znj. Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009 dhe ka qenë anëtare e disa
komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si edhe kryetare e anëtare disa grupeve të
miqësisë.