Mirela Kumbaro Furxhi
Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo shërben si Ministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Mban titullin Profesore e Asociuar që prej vitit 2012, në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve ndërkulturore, pasi kishte fituar më parë titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore, pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2009.
Znj. Kumbaro ka kryer studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë.
Znj. Kumbaro ka mbaruar studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në fushën e qytetërimit dhe letrave frënge, në vitin 1988.
Znj. Mirela Kumbaro është me profesion pedagoge, përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare në projekte akademike, në programet kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, Këshilli i Evropës. Ajo vjen nga një karrierë e gjatë akademike dhe nga një angazhim aktiv në shoqërinë civile, ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.
Në vitin 2013 emërohet ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, znj. Mirela Kumbaro Furxhi u zgjodh deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Gjirokastrës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 fiton mandatin e 2-të si deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Gjirokastrës.
Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.