Partia Socialiste e Shqipërisë

Ogerta Manastirliu

Ogerta Manastirliu është lindur më 31 dhjetor 1978, në qytetin e Tiranës. Prej muajit shtator 2023 ajo mban postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit.

Znj. Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”. Ajo ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Përgjithshme, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë”, në po të njëjtën degë. Ka qenë e angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Znj. Manastirliu ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në periudhën 2017- 2023.

Në vitin 2004 ka nisur karrierën profesionale në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në këtë detyrë, znj. Manastirliu ka qenë një nga kontribueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të “Strategjisë Lokale të Strehimit Social”.

Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.

Në periudhën shtator 2013 – mars 2017, znj. Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Prej vitit 2017 është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 është zgjedhur deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Znj. Manastirliu është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.