Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin me banorët, përkrahës të Partisë Socialiste në Poliçan
Ju jam shumë mirënjohës për mikpritjen, për entuziazmin edhe për sa shumë jeni në numër këtu në këtë qytezë të vogël, por me zemër të madhe, ku për hir të vërtetës, e përmendi dhe kryetari, keni ardhur qysh kur ishim në opozitë dhe sot Poliçani është tërësisht i transformuar falë punës së madhe që ka bërë Kryetari i Bashkisë, ne kemi mbështetur sa kemi mundur, ka pasur një mbështetje të veçantë edhe nga Ervini megjithëse Ervini kryetar bashkie në Berat, por asnjëherë nuk e ka ndarë Beratin nga Poliçani, kjo është e vërteta, por më vjen jashtëzakonisht mirë edhe për një gjë tjetër, që falë këtyre ndryshimeve kanë filluar të hapen agroturizma. Ju keni dy nga shembujt më të shkëlqyer të sektorit të ri të vreshtarisë dhe po ashtu kërkesa të tjera janë në vijim.
Ajo që është e rëndësishme është që ne tanimë në mandatin e katërt kemi përcaktuar si pjesë të planit tonë për infrastrukturën edhe rrugën e re Berat-Poliçan-Skrapar dhe rruga e re Berat- Poliçan- Skrapar do jetë një rrugë, e cila do ta ngushtojë shumë distancën, do të rrisë shumë shpejtësinë e lidhjes suaj me, jo vetëm Beratin, por edhe me Tiranën, në ndërkohë në anën tjetër do të lidhë Skraparin me Përmetin dhe kështu do të krijohet një unazë shumë e bukur, e cila do të sjellë shumë më tepër investime dhe shumë më tepër turizëm.
Agroturizmi këtu ka filluar, siç thashë, t’i japë shenjat e veta domethënëse dhe po shikonim me kryetarin disa të dhëna, kanë filluar të kthehen njerëz që investojnë dhe do kthehen ende më tepër, jam i sigurt, edhe falë aksesit që do krijohet përmes rrugës së re.
Por, përtej investimeve që ne do të vazhdojmë, përtej punëve që do të vazhdojmë, më vjen shumë mirë që kemi zgjidhur edhe çështjen sociale të 1500 njerëzve këtu në Poliçan që ishin kontributorë të industrisë ushtarake dhe nuk e di sa ju ka informuar Kryetari, por jemi duke punuar dhe në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake, edhe Kombinatin e Poliçanit e kemi pjesë të planeve tona, jemi duke diskutuar me disa palë të interesuara dhe shpresoj dhe besoj që së shpejti do kemi edhe rezultate nga këto diskutime pasi duam që ta rihapim kombinatin në kushtet kur, siç e shihni, gjithë Europa është e mobilizuar për të krijuar më shumë pika prodhimi të industrisë ushtarake dhe ne e kemi filluar tanimë këtë proces por ajo për të cilën unë dua t’ju them disa fjalë më shumë sot është domethënia e zgjedhjeve të 11 majit.
Ne kemi bërë shumë zgjedhje së bashku, kemi fituar 9, kjo do jetë fitorja e 10-të, do jetë fitorja e 10-të pa asnjë diskutim për Partinë Socialiste. Siç e patë, edhe sondazhistin i Donald Trump, i cili është kontraktuar nga një televizion kombëtar shqiptar na nxori në një avantazh domethënës, madje besoj që keni parë se po e thosha në Skrapar “Po të jetë puna për politikë dhe për analiza politike, në këtë zonë një të marrësh kë të duash nga turma këtu ta çosh në studio është 1000 herë më i mirë si analist sesa janë ata atje” dhe e patë që kur shikonin ato rezultate, që është opinioni i popullit shqiptar, që shumica dërrmuese e popullit shqiptar mendon se ky vend po shkon në drejtimin e duhur, rrinin dhe thonin “Si ka mundësi? Kjo tregon që ky popull është i sëmurë”. Në fakt, të sëmurët janë ata, populli është me shëndet top dhe me mendje top dhe e di shumë mirë se ku po shkon.
Në 11 maj nuk është thjesht fitorja jonë aritmetike që ka rëndësi. Në 11 maj ka rëndësi që shqiptarët të bashkohen sa më shumë, të bashkohen sa më shumë siç u bashkuan në marsin e vitit 1992 kur masivisht votuan Partinë Demokratike atëherë jo se të gjithë ishin me Partinë Demokratike por sepse ishte koha e duhur, ishte vendi i duhur dhe ajo ishte e vetmja zgjedhje për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja dhe 11 maji është koha e duhur dhe vendi i duhur për t’i dhënë shtysën e fundit sa më të fuqishme anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Mos e harroni motra e vëllezër, janë qindra vjet që fati ynë, fati i këtij kombi, fati i këtij vendi është përcaktuar nga profeti i historisë sonë kombëtare, Gjergj Kastriot Skënderbeu, si fat i lidhur me Europën dhe janë qindra vjet përpjekje të një populli që është trajtuar si popull i dorës së dytë gjithmonë dhe ju e dini shumë mirë, edhe në këto vite pas rënies së komunizmit dhe daljes së shqiptarëve nëpër botë, se çfarë kanë hequr shqiptarët dhe sa shumë janë përçmuar, një përçmim të cilit ne kemi filluar t’i japim fund pasi i kemi imponuar botës që të respektojnë Shqipërinë, që të vlerësojë se Shqipëria nuk është një vend që mund të merret nëpër këmbë, as një vend që mund të shikohet nga lart –poshtë dhe ne ju japim respekt dhe marrim respektin që meritojmë, por ama kemi akoma një mision të papërfunduar që është misioni i shqiptarëve në breza për ta marrë këtë flamur kuq e zi dhe për ta vendosur në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar europiane sepse vetëm atëherë, vetëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian do marrë fund përfundimisht çdo lloj diferencimi, do marrë fund ai diferencimi që duket i zakonshëm se na është bërë zakon, por është krejt i papranueshëm që kur shkojmë të hyjmë në cilindo kufi të Bashkimit Europian na nxjerrin mënjanë dhe fillojnë nga pyetjet “Ku po shkon, kush të ka ftuar, sa lekë ke me vete, a ke hotel të rezervuar, sa do rrish?” dhe pastaj vjen dhe ajo pyetja e tmerrshme “Kur do ikësh?” sepse jemi të huaj.
Jemi europianë, jemi në mes të Europës, por jemi të huaj dhe vetëm anëtarësimi në Bashkimin Europian, marrja e asaj pasaportës europiane për çdo grua, burrë, vajzë, djalë na bën të barabartë, na bën pjesë të asaj familjeje dhe i bën të gjithë këta fëmijë sot europianë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe kur ata të shkojnë në shkollë, kur ata të shkojnë në universitet nuk do të trajtohen si studentë të huaj me tarifa 10 herë më të shtrenjta, por do jenë njësoj si të gjithë studentët e Europës.
Po ashtu, ajo pasaporta europiane u jep fund të gjitha problemeve, të gjitha halleve, të gjitha shqetësimeve për dokumente, për letra, për leje qëndrimi, për leje pune, për pension, njohje pensioni të të gjithë shqiptarëve që janë jashtë kufijve, atyre në Greqi në radhë të parë. Ajo pasaportë i çliron përfundimisht nga zinxhirët e burokracive dhe i bën qytetarë të barabartë me grekët në Greqi si europianë. Me pasaportën europiane, shqiptarët e Greqisë, shqiptarët e Italisë, shqiptarët e të gjithë Europës fitojnë të drejtën edhe të zgjidhen anëtar të këshillave, të komunave, të bashkive, me pasaportën shqiptare, s’ka nevojë për pasaportë greke, italiane, sepse thotë Bashkimi Europian, Republika e Shqipërisë. Fitojnë të drejtën të zgjidhen kryetar bashkish dhe komunash, fitojnë të drejtën të vendosin kandidat për Parlamentin Europian shqiptar dhe t’i çojnë atje dhe vetëm për një zgjedhje nuk u mjafton ajo pasaportë, për tu zgjedhur deputet dhe për tu zgjedhur ministra në vendet e tjera, iu duhet pasaporta e vendeve të tjetra normal.
E pra është një ndryshim shumë i madh. Ajo pasaportë nuk është një tjetër dokument udhëtimi, ajo është status. Sepse keni dëgjuar që janë disa që thonë ç’na duhet ne pasaporta, ne jemi në Europë.
Gabimi i madh shumë!
Ajo pasaportë është status qytetarie, barazie të plotë, jo vetëm me zakon si europian, po edhe me ligj për shqiptarët njësoj si për të tjerët.
Tani ka dhe një arsye tjetër shumë të fortë për ca na duhet Bashkimi Europian dhe pse në 11 maj duhet të shkojmë përtej kufijve të partive. Duhet të shkojmë përtej më pëlqen, s’më pëlqen Edi Rama, më pëlqen, s’më pëlqen Partia Socialiste e nga këto historitë e tjera.
Arsyeja është se ne motra dhe vëllezër kemi hedhur një hap historik si socialist, progresist, si forcë qeverisëse. Dhe besoj iu kujtohet të gjithëve, se tani e përmendin këta të kënetave nëpër televizor ç’është kjo punë me Edi Ramën, një herë thotë timon, njëherë thotë tepsi, një herë thotë dajre, por juve ju kujtohet mirë kur unë iu thosha me jepni timonin, mos më lini të tjerë në prehër, se nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi me këta.
Dhe ja ku doli e vërteta, ai timoni ishte një mënyrë e thjeshtë për t’u marrë vesh, por ishte edhe thelbi i asaj fushate. Siç ishte edhe tepsia, se të tjerët donin pjesën në tepsi, nuk donin të çonin Shqipërinë përpara dhe të bënin reformë në drejtësi. Dhe sot, shikoje çfarë thonë, edhe ju duket vetja të zgjuar shumë, e kujtojnë se mund ta çorodisin popullin shqiptar kur i thonë, “si mund të votoni ju për ata gjysmën e qeverisë që kanë në burg”? Shikoni çfarë mendje.
Atëherë këtu është mirë të ndalemi një moment, të ndalemi një moment për tu marrë vesh, si duhet të ndjehemi ne, si ndjehem unë t’ua them se këtë e di si ndjehem, kur duhet të ballafaqohem me faktin, jo gjysma qeverisë, se asnjëri në fakt nga qeveria. Një pjesë e atyre që kanë qenë në qeveri në mandatin e parë apo në të dytin kanë pasur dhe kanë probleme me drejtësi.
Unë personalisht sot do të ndjehesha keq, do të ndjehesha sikur ju kisha tradhtuar nëse ju mora votën për të bërë reformën në drejtësi dhe ju kujtohet mirë se çfarë ju kam thënë: “Na duhet një reformë në drejtësi për ta çliruar drejtësinë nga pushteti politik dhe na duhet një drejtësi që shikon drejtë dhe që godet majtas dhe djathtas”, e kam thënë përpara se sa të ndodhnin goditjet.
Dhe nëse sot drejtësia do kishte goditur vetëm kundërshtar ose hiç fare, atëherë unë do ndihesha keq me ju. Por sot unë jam shumë kryelartë, pikërisht për faktin se ne në këto vite kemi bërë atë që s’e ka bërë askush në historinë e shtetit shqiptar që në 1912-ën. Sepse që në 1912-ën, kur lindi shteti shqiptar, shpata e ndëshkimit, E cila në çdo shtet normal, në çdo vend normal, në çdo vend me ligj, ku ka barazi para ligjit, nuk i takon pushtetit politik i takon drejtësisë, u mor shpata edhe u vu tek zyra e të parit të qeverisë. Qoftë mbret, qoftë diktator, qoftë palo president, siç ishte bufi i kënetës atëherë kur burgosi kryetarin e opozitës, e kishin shpatën e drejtësisë në zyrë, edhe drejtorin nga zyra. Se kush duhet të dënojë, e kush nuk duhet të prekej me dorë, apo jo?
Kaq e vërtetë është kjo, sa erdhi puna që nga zyra ku unë jam sot u vranë njerëz, u vranë protestues të pafajshëm dhe vrasësve nuk i ka hyrë akoma asnjë gjë në këmbë. Unë e kam thënë gjithmonë, drejtësia vonon, po nuk harron, ama më parë kjo mbetej një fjalë boshe, sot nuk është më fjalë boshe, sepse drejtësia e ka shpatën.
Dhe parafytyrojeni, sepse dua ta dëgjojnë ata që thonë, po ça keni bërë ju? Po ça ka ndryshuar këtu? Po këtu është më keq. Parafytyrojeni sikur sot, kur vjen këneta aty poshtë dritares time, unë të dilja të vrisja ca njerëz atje, edhe mos guxonte kush të merrte në pyetje askënd, e pastaj të deklaroja që Prokurori i Përgjithshëm, a prokurori kryesor, është një lavire. Imagjinojeni! Nuk imagjinohet dot pse, sepse nuk është më ajo Shqipëri. Nuk wshtw me Shqipëria e zhytur në kënetë nën këmbët e një bufi, por është një Shqipëri që është në pragun e derës së Bashkimit Europian.
Është një Shqipëri që për herë të parë po synon barazinë para ligjit. Është një Shqipëri ku drejtësia nuk pyet se kush je me kë je, por vjen dhe të merr. Dhe për këtë, unë jam shumë krenar dhe kur ata thonë, shikoni se këta i kanë njerëzit në burg, unë iu them shqiptarëve, që jo, e vërteta është se ne kemi nxjerrë nga burgu drejtësinë.
Dhe pse duhet që shqiptarët në 11 maj të votojnë vetëm numrin 5, vetëm Partinë Socialiste? Po na u them unë dhe këtë, pikërisht sepse nëse ne hyjmë në Bashkimin Europian, barazia para ligjit është e garantuar përgjithmonë. Në të kundërt kjo që po ndodh sot, motra dhe vëllezër do mbetet si ëndrra e një nate vere. Gjërat do kthehen mbrapsht.
Shikojeni bufin e kënetës në 12 maj thotë do të shkrijë SPAK-un. S’do bëj dot asgjë, sepse edhe drejtimin real të kënetës ia mori Ilir Vrenozi dje në Korçë. Po e patë Ilir Vernozin, se më thoshin mua pse Ilir Vernozi është lideri real. Gjuha e Ilir Vrenozit është programi real i asaj partie, e patë si u ekzaltuan ata fanatikët. Ça i tha Ilir Vrenozi? Gjëra që vetëm ata fanatikë i vlerësojnë që s’ka lidhje fare me asgjë nga ato që predikojnë, jo familja, jo fëmijët, jo nderi, jo, kjo, jo ajo. Ai është nderi i tyre. Ajo salla mbrëmë atje, ai është respekti i tyre për shqiptarët, për fëmijët, për të gjithë respekt që kanë treguar kur kanë qenë pushtet që kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm, jo një herë, po disa herë, edhe e bëjnë prapë pa asnjë problem, por nuk do ta kenë më shansin, sepse Shqipëria nuk kthehet më kurrë mbrapa. Shqipëria sot është drejtë finishit, siç shoh unë fundin e kësaj rruge Shqipëria shikon sot derën e Bashkimit Evropian dhe prandaj në 11 maj duhet të na jepni fuqi që të bëjmë negociata me BE dhe t’i mbyllim brenda 2027.
Ju thonë disa: “po ç’është ky hall me këtë njeri’’, me mua domethënë, me mua e kanë ata. Dihet, me kë ta kenë tjetër se midis tyre dhe jush jam unë, prandaj nuk kanë ça bëjnë fare ata. Ju thonë; ‘’po ç’është ky hall i madh, 3 herë, 3 mandate. Tani thotë na duhet dhe një mandat tjetër, i 4 që t’ju fus në BE’’. Ju duhet t’i thoni: “po mirë, qënka faji i Edi Ramës që 3 mandate nuk na futi dot në BE. Tani na shpjegoni pak, po Mali i Zi që i ka hapur negociatat me BE përpara se Edi Rama të bëhej kryeministër, pse nuk është në BE? Në 2012. Po Serbia që i ka hapur në 2014 kur ne akoma s’kishim marrë as letrën që jemi kandidatë, pse nuk është në BE? Po Maqedonia e Veriut që ndërroi dhe emër dhe e ka marrë letrën në 2005 kur një pjesë e këtyre që janë këtu, s’kishin lindur akoma, pse nuk është në BE? Sepse nuk hyhet ne BE thjeshtë dhe vetëm se ti je gati. Duhet të jenë dhe ata gati. Nuk hyhet në BE thjeshtë dhe vetëm se ti je i bindur. Duhet të jenë dhe ata të bindur. Nuk hyhet në BE thjeshtë se ti do të hysh, duhet të duan dhe ata që të të hapin derën. E pra, ne ishim delja e zezë kur e morëm Shqipërinë në buzë të greminës nga këneta dhe nga bufi që tregon përralla sot, delja e zezë. Na dëgjonin me bezdi, gati sa s’thonin ‘’hë, mbaro ti shqiptar, ju shqiptarët’’, se kështu e katandisi bufi. Se duhen kujtuar ca gjëra që para se sa ju të më jepnit mua mbështetjen që të shkoja dhe ta nxirrja bufin nga zyra, nuk vinte më njeri të shkelte në Tiranë. S’vinte njeri të shkelte në Tiranë. Ndërkohë që në 16 maj do të vijë i gjithë kontinenti në sheshin ‘’Skënderbej’’, që nga kryeministri i Britanisë së Madhe tek presidenti i Turqisë; që nga kryeministri i Suedisë tek kryeministri i Turqisë të tërë do zbresin në Tiranë për Samitin e madh të Komunitetit Politik në Tiranë tek Skënderbeu atje poshtë, nën këmbët e kalit.
Si ndodhi kjo? Sepse ne bëmë gjithçka që të ishim gati kur ata të hapnin derën. Ata tani e kanë hapur derën dhe na thonë 3 vjet kohë, 3 vjet negociata nuk ka bërë asnjë vend, ua thashë sa vite kanë të tjerët. Kur ne filluam, Serbia ishte atje shumë lart, Mali i Zi edhe më përpara . Sot ne jemi bashkë me Malin e Zi tek pragu i derës, Serbia është prapa nesh. Dhe na duhet vota që të bëjmë negociatat. E dini ç’janë negociatat? 250 mijë faqe për lloj-lloj temash, të gjitha llojet e temave; ekonomia, institucionet, tregu, konkurrenca, biznesi, zogjtë, peshqit, ujërat, rregullat, të tëra. Rregullat e asaj familjeje. Dhe duhet që pasi biem dakord në tryezë me ata, të vijmë në parlament t’i votojmë. Na duhen vota edhe atje, nuk mund të vijmë në parlament të dëgjojmë bufin me kukumjaçkat e zhapikët e tij. E para dhe e dyta, na duhet që në 11 maj, atyre që vijnë në datën 16, shqiptarët t’i japin një mesazh shumë të qartë, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej fuqisë numerike të PS, përtej atij 71 që nuk e diskutojmë fare, t’i thonë ‘’ne populli shqiptar pa dallim duam të hyjmë më në fund në atë shtëpi që është edhe e jona. Nuk duam vendin e dikujt tjetër, duam vendin tonë. atë vend që e ka paraparë heroi ynë kombëtar, atë vend për të cilin kanë luftuar rilindasit e që e kanë lënë me shkrim amanetin- dielli ynë lind andej nga perëndon. Atë vend që e kanë kërkuar edhe të gjithë ata që dolën në ’90 të paorganizuar por ça thanë? E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’’. Ky është momenti. Fati na ka ardhur në dorë. Tani nuk mundet dot ne të luajmë me fatin për partinë e Ilir Vrenozit. Nuk mundet. Ata bënë shumë mirë, Ilir Vrenozi bëri shumë mirë që e mori pushtetin në Korçë të opozitës, po s’kemi punë ne më të dhe me ta. Ne kemi punë me të ardhmen. Ata janë e shkuara. Nuk mund të mbetet Shqipëria në ato lajthitjet e bufit që sa herë hap gojën, thotë ndonjë budallallëk se nuk është më këtu me ne, ikën e kthehet prapë, ikën e kthehet prapë. Nuk mundet. Çdo gjë ka një kufi.
Dy herë erdhi bufi, njëherë në mirëbesim kur shqiptarët i dhanë votën siç ju thashë, Partisë Demokratike se në fakt votuan Shqipërinë në Europë, nuk votuan për Partinë Demokratike, njëherë tjetër kur u përçamë ne. Nuk ndodh më ajo. Këneta do të bëhet gjithmonë e më e vogël derisa të thahet fare ndërkohë që Shqipëria do të bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do të bëhet sa Shqipëria.
Shumë faleminderit!