35 VJET PS, Berat – Krenar për Partinë Socialiste

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

Motra dhe vëllezër socialistë dhe socialiste të të gjithë këtij qarku, ju që jeni këtu dhe ata që nuk kanë mundur të vijnë.

Në radhë të parë, faleminderit shumë për gjithçka bëni çdo ditë dhe mirënjohje për besimin dhe gjithë mbështetjen që mua personalisht më keni dhënë pa asnjë kursim.

Sot ne jemi këtu në rrugëtimin e përcaktuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, një veteran i PS tanimë, se Blendi me Fadilin janë veteranët, unë jam në mes dhe Ervin Demo është prurje e re në PS, kështu që jemi këtu sot në këtë rrugëtim në Berat, në një stacion që, për hir të së vërtetës, unë vij me shumë dëshirë gjithmonë, sepse është një nga shembëlltyrat më kuptimplota të transformimit që kemi sjellë qysh se shqiptarët dhe qytetarët e këtij qarku dhe të këtij qyteti na besuan mandatin tonë të parë. Dhe kujtoj gjithmonë shumë mirë edhe rrugën time të parë për në Berat kur u zgjodha kryetar i PS dhe mbështetjen e Fadil Nasufit dhe të të gjithë atyre që dolën këtu në ekran, përfshirë pa asnjë diskutim edhe Arturin, i cili, për hir të së vërtetës, ka qenë një mbështetës më i hershëm, edhe kur Fadili me të tjerët nuk më mbështesnin mua, se mbështesnin vijën e partisë, normal fare, se falë atij qëndrimi të palëkundur me vijën e partisë, kemi ardhur deri këtu, Fadil, kështu që je në rregull.

Dhe po thosha, që kur kam ardhur për herë të parë ishte një rrugë jashtëzakonisht e vështirë nga pikëpamja e ardhjes në Berat. Faktikisht nuk kishte rrugë, ju e dini këtë më mirë sesa unë dhe për shumë vite, rruga që lidh Beratin me kthesën e Lushnjës ishte problemi më i madh i qytetarëve të Beratit. Duket e pabesueshme sot, me siguri, për të gjithë ata të rinj që janë këtu, por kjo është e vërteta dhe kemi nisur transformimin e Beratit nga ajo rrugë për të vazhduar pastaj me shumë gjëra të tjera dhe sot Berati është vendi që ka shënuar, si një dallëndyshe e parë, kthesën e trendit të ikjeve dhe të ardhjeve.

Në Berat më shumë kthehen sesa largohen nga vendi. Dhe natyrisht kjo lidhet me faktin që në Berat tanimë, njerëzit që duan të gjejnë rrugën për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme familjare, mund ta gjejnë rrugën, duke shfrytëzuar gjithë atë prurje gjithmonë e më të madhe që ka sjellë turizmi normalisht, por jo vetëm. Dhe siç është e paimagjinueshme sot, për ata që janë më të rinj, ajo që thashë për rrugët, me siguri është e paimagjinueshme sot që më të rinjtë e kësaj familjeje të imagjinojnë një vend si ai, ku një pjesë e jona ka jetuar. Ka jetuar në një kohë kur demokracia na thuhej që kishte ardhur, por në fakt kishte vetëm një ekran, ekrani i RTVSH-së, që transmetonte vetëm pushtetin dhe ku opozita e atëhershme, PS, dilte shumë rrallë për pak sekonda dhe dilte vetëm me pamje, jo me zë. Pamja ishte pamja e drejtuesve të atëhershëm të PS, kurse zëri ishte i spikerit apo i spikeres së pushtetit që përdorte fjalë denigruese ndaj atyre që dilnin në ekran për të përfaqësuar opozitën.

Dhe ndërkohë, PS në territor ishte forca e një grushti njerëzish, me një mbështetje patjetër në bazë, por me shumë pak numra kur ishte fjala për t’u shfaqur si përfaqësuesit e PS.

Nuk kishte PS ku të rrinte. Njerëzit e PS përndiqeshin me libër shtëpie dhe e gjithë opozita në Shqipëri, i gjithë populli shqiptar, kishte vetëm një burim informimi që ishte gazeta “Koha Jonë”, e cila edhe ajo përfundoi e djegur. Ashtu sikundër, shumëkush nga ata që përfaqësuan PS në ato vite, e kanë në kujtesë shijen e rrahjes fizike. Duken gjëra të paimagjinueshme sot, por kjo ishte Shqipëria që PS mori përsipër kur ranë piramidat e llahtarshme, mashtrimi më i madh i bërë ndaj një populli në të gjithë historinë e Evropës komuniste të dalë nga diktatura dhe përpinë të gjitha kursimet e shqiptarëve, të cilëve ishte ai regjim atëherë që u thoshte njerëzve: “Futini lekët aty, se janë të pastra”. Dhe nga ato rrënoja, doli edhe qeveria e parë e PS, e cila u udhëhoq nga kryetari i PS, i cili edhe ai doli nga burgu, i mbajtur padrejtësisht, politikisht në burg. Pse e kujtoj këtë? E kujtoj këtë sepse midis historisë së atëhershme dhe të mëpastajme të kundërshtarëve tanë dhe historisë së PS atëherë dhe më pas, nuk është thjesht një dallim që lidhet me rrugët, që lidhet me urat apo që lidhet me transformimin e qyteteve e që lidhet me transformimin e turizmit, e që lidhet me të gjitha transformimet e tjera. Jo.

Është një dallim i madh që lidhet me mënyrën e të qenit banorë të këtij vendi, njerëz të këtij vendi të ndarë midis shumicës që përfaqëson PS, që janë shqiptarët që janë evropianë, jo vetëm me fjalë, por janë evropianë në shpirt dhe janë evropianë në mendje, sepse ndër shumë gjëra që PS ka merita historike, është fakti që, edhe pse doli nga një tunel i gjatë dhe i stërmundimshëm prej disa vitesh të paimagjinueshme në opozitë dhe erdhi në qeveri me në krye liderin e vet të dalë nga burgu, për asnjë ditë të vetme nuk u thirri shpirtrave hakmarrës; për asnjë ditë të vetme nuk dëgjoi brenda vetes zërin që i flet çdo njeriu për të marrë hak, por qysh në ditën e parë dhe në të gjitha ditët në vazhdim foli me zërin e arsyes, foli me zërin e pajtimit dhe të paqtimit, foli me zërin e ndërtimit, jo të shkatërrimit dhe ky është një dallim shumë i madh, i jashtëzakonshëm midis nesh dhe atyre sot e gjithë ditën. Dhe nëse pyet çdo shqiptar: “Ja ku janë forcat politike, tani më thuaj, me kë identifikon fjalët që do të të them: përçarje? Jo me PS natyrisht. Progres? Natyrisht me PS. Shkatërrim, rrëmujë, sherr, konflikt, shpifje, baltë? Asnjëherë me PS. Ndërtim, rregull, përpjekje për zhvillim, pastrim, gjelbërim? Gjithmonë, kudo ku qeveris Partia Socialiste në çdo territor, këto janë fjalët kyçe.
Një nga gjërat që mua më bëjnë të ndihem mirë është kur shoh nganjëherë, kur mund ta kem mendjen, duke lëvizur me makinë nëpër rrugët e Tiranës, sesi janë rritur sot të gjitha ato pemë që kemi mbjellë në krye të Bashkisë së Tiranës qysh në vitet 2001-2002. Por nuk është vetëm Tirana, është në të gjithë Shqipërinë. Dhe duke folur për pemë, për gjelbërim, për pastrim, nuk mund të rri dot pa iu rikthyer temës së ditës që ka të bëjë me mjedisin, me natyrën, me mbrojtjen e natyrës. Parku Kombëtar i Vjosës ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste. Parkun Kombëtar të Vjosës nuk e kanë vënë nën mbrojtje ata që duan ta mbrojnë nga ne. E kemi vënë në mbrojtje ne. Shqipërinë me thuajse 25% të territorit zonë të mbrojtur, nga shumë herë më pak seç e gjetëm, e kemi vizatuar ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Dhe të flasësh për zonat e mbrojtura, të flasësh për peizazhet e mbrojtura, të flasësh për natyrën në tërësi dhe t’i kthehesh PS-së dhe qeverisë së Partisë Socialiste, përfshirë edhe mua këtu, duke i parë dhe duke i treguar me gisht si rreziku, ky është kulmi dhe është një kulm që mund ta arrijë vetëm verbëria e kombinuar me dezinformimin, që mund të arrijë vetëm injoranca e kombinuar me manipulimin, që mund ta arrijë vetëm keqdashja ndaj këtij vendi e kombinuar me ata që e duan sinqerisht këtë vend, por që të përfshirë emocionalisht nuk informohen.

Ka një protestë në Tiranë. Për çfarë protestohet? Protestohet për të mbrojtur natyrën. Po kush e ka kërcënuar natyrën? Protestohet për të mos lejuar shkatërrimin e biodiversitetit, po kush e ka vënë në rrezik biodiversitetin?

Protestohet sepse është hequr nga zonë e mbrojtur Zvërneci, por kush e ka hequr dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone e mbrojtur ka qenë? Zvërneci ka qenë qysh në krye të herës zonë e mbrojtur e kategorisë 5, peizazh i mbrojtur dhe kështu është edhe sot dhe kështu do të jetë edhe nesër.

Protestohet për çfarë? Dhe debati real sot nuk është a do të mbrohet apo s’do të mbrohet biodiversiteti, sepse kjo është pjesë e pandashme e detyrave dhe e punës sonë si qeveri në raport me çdolloj investitori. Debati sot nuk është a do të hiqet apo do të rrijë ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do të jetë peizazh i mbrojtur.

Debati sot është më i thjeshtë, por edhe më i thellë se kaq. Çfarë Shqipërie do të zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do të kemi ne pas 5, 10, 15 vitesh? Dhe si do ta rrisim ne Shqipërinë ekonomikisht?

Si do ta rrisim ne prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë nëse në industrinë tonë kryesore kemi turizmin? Dhe turizmi është një industri, e cila zhvillohet pikërisht nga ato vende që kanë respekt për natyrën, kanë respekt për mjedisin dhe nxjerrin mësime të vazhdueshme nga gabimet e bëra në të shkuarën.

Por nëse ne mendojmë që do ta rrisim prodhimin tonë të përgjithshëm kombëtar, do t’i rrisim më tutje pagat, do t’i rrisim më tutje pensionet, do ta rrisim më tutje konsumin, do ta rrisim më tutje zinxhirin e vlerës në territoret tona pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim.

Nëse ne mendojmë që do të përqendrohemi dhe do të vazhdojmë me investimet e vogla, copa-copa, vetëm dhe me hotelet që sjellin vetëm turizmin masiv, i cili ka qenë shumë i mirë për ne në këtë periudhë, por nuk është i qëndrueshëm në afat të gjatë, atëherë ne mendojmë gabim.

Dhe kush mendon që turizmi cilësor, turizmi i konsumatorëve që vijnë dhe po, e paguajnë dhomën shumë shtrenjtë, patjetër, e paguajnë shumë shtrenjtë, është një turizëm që u vlen vetëm atyre që vijnë, mendon komplet gabim, sepse ata kur vijnë, në radhë të parë, duan të ushqehen me çfarë prodhon vendi ku shkojnë dhe investime si ky i Zvërnecit janë investime që do t’i donte çdo vend dhe janë investime që jo çdo vend ka dëshirë t’i shohë që t’i bëjë Shqipëria. Dhe janë investime të cilat mobilizojnë të gjithë çfarë ka rreth e rrotull. Mobilizojnë bujqit, mobilizojnë blegtorët, sistemin e transportit, mobilizojnë shumë të ardhura që shpërndahen në gjithë këtë zinxhir vlere duke, patjetër, nuk diskutohet, rritur vlerën e pronës së patundshme të gjithë atyre jo vetëm që janë rreth e rrotull, por duke rritur vlerën e pronës së patundshme në Shqipëri.

Në momentin që sot, miqtë e mi, transformimi i gjithë vijës bregdetare të Vlorës, pa filluar akoma mirë investimi, e ka rritur katërfish vlerën e pronës dhe ato janë prona të shqiptarëve.

Çfarë do të thotë që ne Shqipërinë nuk ua japim të huajve?

Çfarë do të thotë kjo, se e kemi dëgjuar! Fadili e ka dëgjuar kur ka qenë i vogël te ajo partia tjetër, por nuk rezultoi eksperiment i suksesshëm apo jo, Fadil? Prandaj i dhamë drejtim asaj partie dhe bëmë një parti të re.

Çfarë do me thënë që Shqipëria është e shqiptareve? Kush e ka vënë ndonjëherë në diskutim këtë që Shqipëria është e shqiptarëve? Puna është se si do t’i bëjmë shqiptarët të ndjehen në Shqipëri? Si qytetarë të cilët janë të barabartë në gjithçka, jo vetëm në të drejtë, por dhe në mundësi me të tjerët apo si qytetarë të një vendi që ndryshe nga të tjerët ka mundësi bëhet konkurrues në ligën më të lartë të turizmit dhe nuk bëhet se ka frikë nga zhvillimi, se ka frikë nga transformimi.
Patjetër, unë besoj tek e para, nuk besoj tek e dyta dhe në ndërkohë normalisht kush proteston duhet të nxjerri dhe të tregojë projektin për të cilin proteston dhe duhet të thotë: “Ja unë protestoj për këtë projekt, sepse ky projekti këtu është një projekt, i cili dëmton këtë, këtë, këtë…”, por nuk kanë se si ta nxjerrin, sepse projekti akoma nuk është i përfunduar. Është një projekt që ka filluar dhe punohet prej thuajse tre vitesh dhe punohet prej thuajse tre vitesh, sepse ne, në emrin tuaj, në emrin e interesit të shqiptarëve, se Shqipëria është e shqiptarëve apo jo, kemi mbajtur gjatë gjithë kohës një qëndrim shumë kërkues për standardet e një projekti që do të sjellë 4 miliard euro në Shqipëri. 27 miliard euro është i gjithë Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar dhe kemi qenë shumë kërkues pikërisht për të gjitha këto shqetësime që kanë ata të cilët bien pre e manipulatorëve. Bien pre e disa pseudo myslimanëve pa din, pa iman, pa Kuran, që përhapin gjithandej një legjendë skandaloze që Zvërneci i është shitur Izraelit dhe aty do vijnë palestinezët. Madje, madje përhapin edhe video ku kërkojnë të dinë emrin, mbiemrin dhe vendbanimin e atij rojes që bëri atë akt skandaloz dhe e duan sepse duan ta vrasin dhe e thonë dhe vënë lekë, euro nëpër ato faqet e tyre të ndyra, duke i bërë thirrje urrejtjes dhe duke ngatërruar gjërat, pikërisht në atë mënyrë të cilës i druhet sot bota demokratike, duke përdorur manipulimin e rrjeteve sociale. Nuk është Shqipëria vendi i parë ku ndodh kjo, po ky është një manipulim i madh, i gjithi i bazuar në gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Çfarë myslimanësh janë ata? Çfarë lidhje kanë ata me Allahun? Asnjë lidhje!

Si mund të jenë ata në aleancë me median greke? Janë dy qenie komplet të ndryshme dhe na është shqetësuar media greke e gjitha nga mëngjesi deri në darkë për mjedisin në Shqipëri, në ndërkohë që askush nuk tregon projektin, se projekti është duke u punuar nga 5 studio, ndër më prestigjiozet në botë për Zvërnecin nga inxhinierë të mbledhur ndër më të mirët në botë edhe për mjedisin.

Studimi mjedisor i detajuar po bëhet nga një prej studiove më prestigjioze në botë sepse kemi kërkuar ne që të na vijë në tavolinë dhe pa të gjitha këto nuk ka leje ndërtimi. Leja e zhvillimit është leja e parë për konceptin e përgjithshëm dhe për të gjitha porositë që duhen kryer. Ku janë këto? Nuk janë se nuk kanë përfunduar. Atëherë për çfarë bëhet kundërshtia?

Patjetër që ajo që ndodhi ishte skandaloze, po më falni, po çfarë duhet të bëjë më shumë një shtet kur ndodh diçka e tillë, sepse në fund të ditës asnjë shtet, as shteti më i përparuar dhe më demokratik nuk matet me gjërat që edhe ndodhin, por matet me mënyrën si reagon, se kudo ndodhin gjëra, sidomos në vendet që janë vende të lira, demokratike, e tjerë e tjerë. Atëherë çfarë duhet të bëjë më shumë qeveria dhe shteti? Arrestimin e personit, vënien në ndjekje penale të të gjithë rojeve të sigurisë private aty, heqjen e licencës së kompanisë së sigurisë private, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, vënien hetim të të gjithë zinxhirit në Policinë vendore të Vlorës për atë indiferencë që treguan aty. Tani çfarë duhet të bëjmë dhe si mund të vazhdohet të tirret kjo gjë? A nuk ju duket pak e çuditshme kjo? Unë mendoj që në fakt nuk është e çuditshme sepse është manipulim dhe pastaj nga ana tjetër ky është një moment tjetër për të kujtuar se sa herë jemi nisur të bëjmë gjëra pak më të mëdha sesa ato të zakonshmet gjithmonë kemi hasur në lloj-lloj kundërshtirash është okay, jemi në një vend demokratik.
Kjo nuk është Shqipëria që unë dua për dekadën tjetër. Kjo nuk është Shqipëria që duhet të mjaftohet me hyrjen në Bashkimin Europian thjesht dhe vetëm duke bërë të gjitha ato detyrat e shtëpisë. Po kjo është një Shqipëri që i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një vend që jo të ketë zili të tjerët, por ta kenë zili të tjerët.
Ka vende të vogla që bota i ka zili. Çfarë i mungon Shqipërisë? Asgjë nuk i mungon! Çfarë i duhet Shqipërisë? I duhet vendosmëri, i duhet durim, i duhet lidership, i duhet edhe mbi të gjitha këmbëngulje shumë e madhe dhe këto unë besoj që si në ditë të mira, si në ditë më pak të mira mua dhe juve nuk na mungojnë.

E fundit që kam se dua ta përsëris dhe përpara jush, unë mendoj që asnjë forcë politike në gjithë Europën e pas rënies së komunizmit nuk ka përjetuar tek personat, tek lëkura e personave që e kanë përfaqësuar në nivelin vendor apo qendror më shumë shijen e baltës sesa kjo forca jonë politike, sesa njerëzit përfaqësues të kësaj force politike dhe sa më i lartë niveli i përfaqësimit, aq më e hidhur shija e baltës, e baltës së akuzave, e baltës së shpifjeve me libër shtëpie. Nuk kanë baltosur vetëm ne, kanë baltosur njerëzit tanë, familjet tona dhe patjetër që kjo nuk është fare ankesë, sepse sa më lart të jesh në këtë piramidë, aq më shumë baltë do marrësh, por unë e kam duruar baltën, jam mësuar me shijen e saj mbi veten time, s’më bën përshtypje. Nuk jam mësuar me shijen e saj kur balta bie mbi familjen time, mbi gruan, mbi fëmijët, kur balta bie mbi kockat e prindërve të mi, por ama gjithmonë e konsideroj si pjesë të pandashme, të pandryshueshme sepse s’kemi gjë në dorë ne. Balta vjen nga ata që deri dje i kishim përballë, sot s’i kemi as përballë, i kemi shumë prapa, pjesë e pandashme për hir të privilegjit të madh dhe të nderit të madh që më keni bërë dhe më bëni ju, duke më mbështetur dhe duke më mbajtur në krye. Por në këto 2-3 ditë kam kuptuar që baltën dhe akuzat dhe shpifjet e atyre që më kanë votuar, është shumë e vështirë që t’i përballoj, është shumë e vështirë që t’i pranoj sepse përtej të gjitha fjalëve dhe përtej të gjitha pretendimeve, akuzave, hamendësimeve, përrallave, tregimeve, rrëfimeve lidhur me mua, unë një gjë jam i sigurtë, jam i sigurtë si Mangalemi që është prapa meje, që qysh në ditën që ju më keni çuar në atë zyrë, nuk e kam bërë kurrë. Unë nuk ju kam tradhtuar dhe nuk ju tradhtoj kurrë. Dhe unë nuk jam më këtu si në fillimet e kësaj rruge që patjetër si çdo njeri, kisha edhe unë atë ndjesinë e të qenit në një zyrë që është më e larta e vendit dhe në një pozicion që është më i larti i vendit; kisha dhe unë atë pjesën time të flirtit me pushtetin për çfarë pushteti të jep, në kuptimin e gjërave që sheh, e njerëzve që takon, e duartrokitjeve që merr, i kisha këto. Nuk i kam më!

Jam këtu në këtë detyrë vetëm për një bindje shumë të madhe, që është momenti historik që e ka sjellë Zoti, e kanë sjellë yjet bashkë, e kanë sjellë fati, quajeni si të doni, e ka sjellë dhe puna jonë se dhe Zoti thotë ‘’më ndihmo, të të ndihmoj’’ dhe që ne kemi mundësinë të bëjmë histori duke e bërë Shqipërinë ta kapërcejë atë pragun e paarritshëm për kaq shumë kohë, të Europës së të barabartëve, por natyrisht që unë jam këtu për vizionin dhe për bindjet e mia, për se si duhet të jetë kjo Shqipëri. Nuk jam këtu për të vazhduar të rri në karrige e për të dalë në fofotgrafi dhe të bëj kryeministrin. Fare. E keni parë besoj, që dal më rrallë, por vetëm për të bërë gjërat ashtu siç duhet dhe për ta ngjitur Shqipërinë aty ku duhet dhe o duhet të bëjmë këtë, ose s’ka për mua punë. Kaq e thjeshtë është kjo!

Shumë faleminderit!